Sekuestrohen rreth 14 kg heroinë në Portin e Durrësit, arrestohet një person.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, autobusin e linjës “Durrës-Milano”.
Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
-Mikel Pici, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano”;
-Piro Rushi, 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Mikel Pici iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.