Kreu i SPAK, Altin Dumani, u është përgjigjur sot pyetjeve të anëtarëve të komisionit të Ligjeve, pasi prezantoi raportin vjetor të punës së kësaj Prokurorie.
Lidhur me megaoperacionin e bërë publik pak ditë më parë ku u lëshuan 50 urdhërarreste dhe u shkatërruan 7 grupe kriminale, kreu i SPAK u shpreh se është ulëritëse që pjesë e këtyre grupeve kanë qenë dhe zyrtarë të policisë.
Por nga ana tjetër ai tha se pavarësisht se ka elementë që janë të përfshirë në grupet kriminale, me policinë, SPAK ka një raport dhe bashkëpunim të shkëlqyer.
“Na kanë rezultuar drejtues të lartë të policisë së shtetit të lidhur me krimin, është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Ish drejtori i operacionales, disa shefa krimesh, dhe nuk rri dot pa e adresuar këtë shqetësim, por që kemi një bashkëpunim shumë të mirë me policinë e shtetit nuk mund të rri pa e thënë”, tha Dumani.