Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten më 5 dhjetor, lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjirokastrës, Mirela Iliopullo.
Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtare Albana Shtyllën, Ina Ramën e Mimoza Tasin, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Iliopullos ndaj vendimarrjes së Komisionit.
KPK e shkarkoi nga detyra gjyqtaren Mirela Iliopullo më 13 korrik 2021, pasi arriti në përfundimin se kishte mungesë të burimeve financiare në vlera të mëdha për pasuritë dhe shpenzimet e kryera; se kishte kryer në mënyrë të përsëritur deklarime të pamjaftueshme dhe se kishte fshehur pasurinë, duke cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Mirela Iliopullo e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 si ndihmësgjyqtare në Gjykatës e Sarandës.
Prej vitit 2000 dhe deri në momentin e shkarkimit, ajo e ushtroi funksionin e saj pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.