Punonjësve të shëndetësisë në Shqipëri iu rekomandohet nga sot, të bëjnë vaksinën kundër virusit të lisë së majmunit, po ashtu edhe kontakteve të afërta me personin që mund të diagnostikohet me këtë sëmundje.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu mblodhi sot Komitetin Kombëtar të Vaksinimit dhe njoftoi se ISSH ka nisur planin e masave kundër përhapjes së kësaj sëmundjeje.
“Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimt ka marrë vendim, në trajtën e një rekomandimi, – vërejti Manastirliu, – sa i përket kontakteve të afërta të rasteve, të cilat mund të diagnostikohen me linë e majmunit, të mundet të përdoret vaksina e lisë. Një vaksinë, e cila ka një efikasitet, sikurse edhe studimet tregojnë, rreth 85% përsa i përket mbrojtjes nga lia e majmunëve. Vlerësohet nga ekspertët tanë që do të jetë një sasi, e cila për këtë fazë do t’i dedikohet kontakteve shumë të afërta apo edhe personelit mjekësor, që mund të jenë në përballje këtë sëmundje.”
Diskutimi i bë mëngjesin e sotëm me ekspertët e Komitetit Kombëtar të Vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik.
“Vendi ynë ka risk të ulët për përhapjen e këtij virusi, megjithatë ka nisur zbatimi i planit të masave të shëndetit publik për çdo situatë, – shtoi ministrja. – Mirënjohje për profesorët e nderuar Eduart Kakariqi, Gjeorgjina Kuli, Genc Sulçebe, Najada Çomo, Aida Bushati, Silva Bino, Eugena Tomini për seriozitetin dhe punën e palodhur në përgjigje të çështjeve të shëndetit publik.”
Ndërsa Shefja e Depatamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, nënvizoi se sëmundja e lisë së majmunit ka një risk të ulët për popullatën e përgjithshme dhe vaksinimi ka efikasitet për grupet në risk.
“Për çështjen e lisë së majmunit, Komiteti Ekspertëve për vaksinimin është mbledhur, ka shqyrtuar situatën aktuale në botë, riskun për popullatën. Normalisht risku për popullatën e përgjithshme është i ulët, jo vetëm tek ne po në gjithë vendet e Bashkimit Europian.
Përveç masave të tjera si izolimi dhe masave të tjera për një sëmundje të transmetohet nëpërmjet kontaktit apo skpërklave të mëdha, Komiteti ka vendosur masën e përdorimit të vaksinës.
Lia e majmunit nuk ka një vaksinë specifike, por mendohet që vaksina, e cila është përdorur për variolën apo lijën e zezë siç edhe njihet në popullatë është një vaksinë e cila ka 85% efikasitet në parandalimin e sëmundjes, ose në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes. Për këtë arsye u diskutua që për grupet në risk të kemi mundësi vaksinimi”,- theksoi Bino.