Një punonjës policie në Këlcyrë ka përfunduar i arrestuar nga agjentët e AMP-së, pasi hetuesit kanë zbuluar se ai ka ndërhyrë për të “fshehur” gjurmët që çonin tek e bija, pasi kjo e fundit shkaktoi një aksident rrugor.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë Inspektor Th.M., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme/Trup Shërbimi në Postën e Policisë Këlcyrë, Komisariati i Policisë Përmet.”

Rezulton se efektivi ka ndërhyrë duke larguar mjetin e vajzës së tij nga vendngjarja, duke prishur provat.

Për këtë arsye ai akuzohet për “shpërdorim detyre”.

Njoftimi:

Punonjësi i policisë Th.M. dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, pasi ka kryer veprime të kundërligjshme, duke larguar mjetin e vajzës së tij nga vendi i ngjarjes, e cila ishte përfshirë në një aksident automobilistik në rrugën Petran-Përmet, duke prishur kështu provat në vendin e ngjarjes.”