Nga Adriatik Doci
Gjyqtari i Tiranës Agron Zhukri kallëzohet në SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Bashkëshortja e gjyqtarit, Rezarta Zhukri, nga viti 2017 deri në vitin 2020 ka deklaruar rreth 1.5 milionë USD të ardhura nga një agjenci udhëtimesh dhe sigurimesh. Agron Zhukri po verifikohet nga Komisioni i Vetingut që në qershor të vitit 2020, ndërsa dy djemtë e tij janë avokatë.
Në kallëzim pretendohet se Zhukri po zvarrit qëllimisht një padi që nuk është në kompetencë të tij, por në kompetencë të Gjykatës Administrative. Bëhet fjalë për padinë e përmbaruesve Fatos Alimadhi, Saimir Dogjani, Rrok Deda, të cilët kërkojnë shpalljen të pavlefshme të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Private të datës 24 shtator 2022, vetëm për sa i përket kryetarit Tedi Malaveci dhe disa anëtarëve. Në kallëzim flitet për një CD me prova për një aferë korruptive të Zhukrit në raport me këtë çështje si dhe për pastrim parash me disa kompani.
“Duke qenë se kam dyshuar për veprimet e paligjshme të gjyqtarit Agron Zhukri, kam investuar dhe më rezulton se gjyqtari është i përfshirë në aktivitetin kriminal të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të drejtësisë parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal, për të cilin po jua provojmë me CD bashkëlidhur këtij kallëzimi. Njëkohësisht kemi konstatuar se gjyqtari Agron Zhukri, është përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të pastrimit të produkteve të veprës penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, pasi më rezulton se ka pasuri të pa justifikuara dhe përdor disa subjekte të familjarëve të tij për pastrimin e produktit të veprës penale, subjektet tregtare janë të identifikuar me Nipt L01305031H, M11331001D ,L52228042D, M01722033G BS GREEN AL dhe L92126017N ARLO Energy veprimtari të cilat duhet të hetohen dhe në lidhje me transaksionet e dyshimta po ju vëmë në dispozicion aktet bashkëlidhur këtij kallëzimi. Por nga ana tjetër ju informojmë se ky gjyqtar ka dhe disa shtëpi në Vjenë të Austrisë të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i pastrimit të parave”, thuhet në kallëzim.
Kush është Agron Zhukri?
Gjyqtari Agron Zhuri është 57 vjeç dhe ka lindur në Tiranë. Arsimimi i tij dhe mënyra se si u katapultua në drejtësi mbetet një mister. Në rrethet e gjyqësorit dhe politikës flitet se Zhukri ka qenë shofer pranë Gazetës Rilindja Demokratike, Partisë Demokratike në vitin 1991 dhe më pas pranë ambasadave, pas ardhjes së PD-së në pushtet. Gjithsesi, në formularin e dekriminalizimit, Zhuri deklaron se në periudhën dhjetor 1992 deri në qershor 1994 ka qëndruar në Itali, si punonjës pranë Ambasadës Shqiptare në Romë, por e specifikuar punën që bënte.
Ndërkaq, bashkëshortja e gjyqtarit Agron Zhuri, Rezarta Zhukri, ka qenë financiare pranë gazetës Rilindja Demokratike.
Në këto rrethana ngrihen dyshime për një ndikim të mundshëm të Berishës për të bërë gjyqtar Agron Zhuri, për t’i shërbyer më pas. Nuk dihet me saktësi se si Zhukri arriti të bëhej pjesë e drejtësisë, me arsim të plotë juridik apo përmes kursit të famshëm të ‘Plepave’, por ai nisi të shfaqej fillimisht si ndihmës gjyqtar dhe më pas si gjyqtar.
Zhukri doli në pah si ndihmës gjyqtar në procesin e famshëm të gjykimit të të akuzuarave për grushtin e shtetit të 14 Shtatorit 1998, orkestruar nga Sali Berisha. Ashtu si në shumë ngjarje të tjera të rënda, edhe për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998 u dënuan vetëm zbatuesit, ndërsa orkestruesit i shpëtuan përgjegjësisë penale.
Grupi i Sali Berishës shtoi presionet dhe kërcënimet ndaj gjyqtarit Agron Zhukri, për të shpallur si të ligjshëm statutin paralel të Berishës, me qëllim për të marrë PD-në. Agron Zhukri dha dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes me pretendimin se gruaja e tij kishte qenë sekretare e Berishës, por dorëheqja nuk iu pranua. Zhukri vendoi në favor të Berishës, vendim i cili u ankimua nga grupi i Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt në Gjykatën e Apelit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi pretendoi se gjyqtari Agron Zhukri ka pasur një takim me një përfaqësues të Berishës para se të caktonte datën për seancën gjyqësore. Bardhi paralajmëroi një kallëzim penal ndaj Zhukrit, si dhe paraqiti një ankesë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.