Një 53 vjeçar grek është proceduar penalisht pasi nuk deklaroi një shumë parash në dalje të Shqipërisë.
Gjatë kontrollit të makinës së shtetasit grek E.R 53 vjeç janë gjetur dhe sekuestruar 18 150 euro.
Shtetasi grek tentoi ti nxirrte eurot nga Shqipëria pa i deklaruar në kufi.
Njoftimi i policisë:
PKK Kakavije/Kontrollet e detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare godasin një rast të mosdeklarimit të të hollave.
Sekuestrohen 18 150 euro, procedohet penalisht 53-vjeçari (shtetas grek) që nuk i deklaroi në dalje të RSh-së.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, në bashkëpunim me autoritetet doganore, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është konstatuar dhe goditur 1 rast i mosdeklarimit të të hollave.
Në bazë të analizave të riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti me drejtues shtetasin grek E. R., në të cilin, gjatë kontrollit u gjetën të fshehura 18 150 euro që ky shtetas po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar siç e përcakton ligji.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., 53 vjeç, banues në Greqi, si dhe u sekuestrua shuma e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.