Më 19 Mars 2017, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” të E Diela Shqiptare në Tv Klan u bë i njohur për publikun rasti i një nëne në prag divorci.
“Forca ime është im bir”, kështu u shpreh Englantina para se të niste rrëfimin e dhimbshëm që lidhej me djalin e saj të mitur.
Siç deklaroi e reja nga Kuçova në atë kohë, vjehrra e saj dhe i shoqi nuk e lejonin të takonte djalin.
Për ta bërë akoma më të qartë historinë, duke marrë versionet e të dyja palëve, Englantina pati një përballje televizive me Natashën një javë më vonë (26 Mars 2017). E vërteta e Natasha Rombulës ishte krejt e ndryshme. Sipas 67-vjeçares, nusja e saj nuk ishte e zonja të kujdesej për nipin dhe se vetëm “gjykata do jepte vendimin final për fëmijën”.
“Unë nuk ia lë se ajo është e papërgjegjshme. Vetë mamaja e Eglës më ka thënë se nuk ka besim tek ajo as për të larë e për të shpërlarë, për të hekurosur, si mund të kem unë besim për t’i lënë nipin tim?” shprehej e revoltuar Natasha.
Pse s’ke ardhur ta marrësh?”, i drejtohej ajo Englantinës. Ndërkohë, kjo e fundit e kundërshtonte, duke hedhur akuza se vjehrra e saj “po e edukonte keq të birin duke e mbushur me urrejtje për të”.
Situata e tensionuar mes tyre nuk mbaroi këtu, daljet e tyre televizive ishin të shpeshta dhe pa asnjë konsensus.
Këtë të Mërkurë, historia ka marrë një kthesë tjetër.
Duket se konfliktet nuk janë shuar për 6 vite me radhë, ndërsa Natasha Rombula dhe i biri i saj Armando Kumaraku kanë rënë në prangat e policisë. Arsyeja lidhet pikërisht me djalin e mitur, i cili sot është 10 vjeç.
Siç bën me dije Policia, ata u arrestuan në Sarandë pas një kallëzimi të bërë në Dhjetor të vitit të shkuar nga ish-nusja.
Ata akuzohen se kanë përdorur të miturin në rrjetin social Tik Tok për të marrë shikueshmëri, duke e mësuar atë të përdorë fjalë banale.