Senatorët australianë kanë miratuar një ligj, i pari në botë, që ndalon ata nën moshën 16 vjeçare të kenë llogari në rrjete sociale.
Legjislacioni pritet të hyjë në fuqi në nëntor 2025.
Ai përfshin disa nga kontrollet më të ashpra të rrjeteve sociale në botë dhe do t’i detyrojë platformat të ndërmarrin hapa të arsyeshëm për të siguruar verifikimin e moshës.
Ligji do të bëjë që platformat si TikTok, Instagram, Snapchat, Reddit dhe X të jenë përgjegjëse për gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë, nëse nuk ndalojnë sistematikisht fëmijët më të vegjël se 16 vjeç të mbajnë llogari.
Bëhet e ditur se platformat do të kenë një vit kohë për të përpunuar mënyrën e zbatimit të ndalimit përpara se gjobat të hyjnë në fuqi, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Në shtator, kryeministri Anthony Albanese tha se qeveria e tij do të provonte teknologjinë e verifikimit të moshës përpara se të ndalonte fëmijët të hapnin llogari.
Në atë kohë, Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram dhe ka një moshë minimale të vetë-imponuar prej 13 vjeç, tha se donte të fuqizonte të rinjtë të përfitonin nga platformat e saj dhe t’u siguronte prindërve mjete për t’i mbështetur ata “në vend që thjesht të ndërpresë qasjen”.
Ndryshe, Dhoma e Përfaqësuesve e Australisë ende nuk i ka miratuar amendamentet e bëra në Senat, por ky është një formalitet pasi qeveria tashmë ka rënë dakord që ato të kalojnë.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, politikanët thuhet se po shqyrtojnë një ndalim të ngjashëm.