Një punonjës i sallës operative dëgjoi në telefon vrasjen e një të riu shqiptar, i cili u godit për vdekje me thikë në një fermë kanabisi në Britani, më 4 dhjetor të 2021-shit.
Xhovan Pepaj, 25-vjeç, u godit 16 herë me thikë nga një bandë që u fut për të grabitur fermën e kanabisit që drejtohej nga rivalët e tyre, në një banesë të fortifikuar në Kent.
Sipas asaj që shkruan Daily Mail, për ngjarjen, 6 persona nga Essex janë në gjyq. Prej tyre 3 janë shpallur fajtor për vrasje; Kelvin Amoako, 19 vjeç, Ciaran Stewart, 19, dhe Bartosz Malawski, 28, ndërsa 3 të tjerë janë dënuar për vrasje nga pakujdesia në një gjyq të ndarë, të zhvilluar më herët gjatë këtij viti në Loughborough. Të gjithën janë dënuar po ashtu për komplot për të grabitur.
Prokurori i çështjes, Danny Moore tha se i riu shqiptar, telefonoi policinë dhe qëndroi në telefon për 14 minuta dhe 50 sekonda, duke i treguar çfarë po ndodhte.
“Përveç bisedës, operatori mundi të dëgjonte gjërat që u thanë nga të tjerët dhe zhurmat. Pasi e dëgjon këtë regjistrim konkluzioni është se ndaj Xhovan Pepajt po përdoret dhunë. Ai sulmohet për vdekje gjatë asaj telefonate dhe Ciaran Stewart (një prej të pandehurve) dëgjohet duke e thënë këtë”.
Prokurori tha se banda shkoi në shtëpinë në fjalë me disa makina në mes të natës, të vendosur për të vjedhur bimët e kanabisit.
Ata u futën në banesë në orën 03:24 dhe në këtë kohë, Pepaj fillimisht mori në telefon ortakët e tij, të cilët mbërritën rreth 10 minuta më vonë. Por sipas prokurorit, grupi i shqiptarëve që kishin nën pronësi fermën me kanabis nuk arritën të kalonin nga dera e kyçur, që ishte vendosur në fillim të shkallëve për të mbrojtur aktivitetin e tyre.
Pepaj ndërkohë kishte mbetur i bllokuar brenda me Amoako, Stewart dhe Malawski. Pasi e goditën për vdekje 25-vjeçarin, 3 autorët e dyshuar u hodhën nga një dritare dhe arritën t’i iknin si shqiptarëve, ashtu sikurse edhe policisë.
Disa minuta më vonë, Amoako i dërgoi një mesazh në Snapchat një shoku të cilit i tha: “Sapo vrava dikë”.
Më pas ai telefonoi policinë: “Më zuri gjumi në makinën e një shoku dhe shqiptarët më nxorën jashtë, vrapova për jetën time, nuk e di ku jam”, tha ai.
Gjyqi për personat në fjalë pritet të zgjasë për disa javë.