Pamjet ku turistët italiane u larguan nga restoranti në Berat pa paguar faturën u bë virale, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Itali.

Kjo ka nxitur interesin e mediave edhe në vendin fqinj pasi kryeministrja italiane Georgia Meloni, kur u njoh me historinë, urdhëroi stafin diplomatik të ambasadës të kryejë pagesën.

Pronarët e restorantit kanë bërë një reagim publik.

Ata kanë falënderuar kryeministren italiane për pagesën, ndërsa kanë treguar se paratë do t’i ruajnë si kujtim e kundër syrit të keq.

”Gazetarët dhe kanalet televizive shqiptare dhe italiane na kanë kontaktuar, por nuk kemi lejuar asnjë intervistë. Ata turistë italianë që ikën pa paguar na kanë bërë një publicitet të madh për qytetin tonë.

Le t’i falënderojmë! Tashmë e thamë se kjo nuk ishte problem pasi italianët janë në shtëpi, shumë prej tyre vijnë si familjarët tanë në Itali kur emigruam. Ne urojmë që ta kenë shijuar ushqimin. Shpresojmë që ato para t’i kenë shpenzuar për diçka të bukur!

Falënderojmë përzemërsisht Georgia Meloni, një zonjë e vërtetë! Ne nuk jemi të pasur, ne punojmë shumë si familje, nuk bëjmë aq shumë sa të mos të na bëjnë përshtypje ato para!

Por kjo nuk është çështje parash për ne dhe jemi shumë të prekur nga gjesti i saj! Një shembull i shkëlqyer dinjiteti nga një nënë e mirë strikte që i jep shembull shtëpisë së saj! Georgia e madhe! E duam shumë edhe si gjysmë italiane qe jemi! Na nderoi shume me ardhjen në pushime në Vlorë!

Në foto janë paratë që na u dërguan me ambasadë. Ata do të qëndrojnë këtu në restorant si një kujtim i jashtëzakonshëm dhe gjithashtu kundër syrit të keq. Faleminderit kryeministrja Meloni Viva Itali Viva Albania!’- shkruan Gabriela Kadena pronare e e restorant Guvës Mangelam.