Dy shqiptarë, njëri prej të cilëve i dënuar më parë për krime ndaj pronës dhe që dyshoheshin si pjesë e një grupi “skifterësh”, janë kapur nga policia italiane në Bolzano një ditë më parë.
Të ndaluarit janë një 48-vjeçar me precedentë, i ndaluar për të hyrë në Itali për 5 vite, por që ishte rikthyer dhe një 40-vjeçar që sapo kishte hyrë në vend.
Karabinierët vunë re gjatë patrullimit të zakonshëm në rrugët e qendrës historike, në Via Cesare Battisti, një makinë që lëvizte në mënyrë të dyshimtë me shpejtësi të madhe.
Në makinë ndodheshin dy shqiptarë. Një 48-vjeçar, i cili ishte dënuar më parë për krime pronësie në rajonin e Brindizit, u identifikua duke drejtuar makinën. Në krah të tij ishte një bashkatdhetar 40-vjeçar, i cili sapo kishte ardhur në Itali nga Shqipëria.
Gjithashtu rezultoi se shoferi ishte dëbuar nga Italia në prillin e kaluar nga Autoritetet e Sigurisë Publike të Brindizit dhe ishte shoqëruar në Tiranë, i ndaluar për 5 vite për të hyrë në Itali.
Nga kontrolli i kryer në mjet u zbuluan mjete të shumta vjedhjeje: një trapano, çekiç, një tub me ngjitës special, doreza lateksi dhe të tjera. Në fund të procedimit shqiptari ish i dënuar më parë u arrestua pasi kishte thyer urdhrin, teksa u ngritën akuza për vjedhje të mjetit dhe sendeve të tjera, shkruan “Lavocedeltrentino”.
Komisioneri i Policisë së Bolzanos, Paolo Sartori, duke marrë parasysh seriozitetin e ngjarjes, ka nxjerrë një dekret dëbimi ndaj 48-vjeçarit, me një urdhër të menjëhershëm të largimit nga Territori Kombëtar, pasi edhe Prokuroria të përfundojë procedurat penale për akuzat e ngritura.
E njëjta masë është marrë edhe ndaj mikut 40-vjeçar, të cilit i është dhënë 7 ditë afat për t’u larguar nga Italia, në të kundërt do të shoqërohet me forcë për në Shqipëri.