Kur vendi i tij ishte mes kaosit, ai ishte një ndër të parët shqiptarë që shkoi në zonën e Mantovanos në vitin 1991 me një anije plot me njerëz dhe vetëm me shpresë. Pasi zbriti në Brindisi, në muajt e parë u vendos në Piacenza e më tutje zgjodhi Asola-n për të jetuar. E për 33 vitet në vijim ai arriti që të bëhej një anëtar i dalluar i komunitetit dhe një pikë reference për qindra shqiptarët e tjerë që tashmë jetojnë në qytet.
Është kjo ajo që shkruajnë mediat italiane për A. Biskun, 58 vjeç, i cili më 16 prill humbi jetën si pasojë e një aksidenti në vendin ku po punonte. E tashmë kjo tragjedi ka tronditur tërë komunitetin shqiptar atje. Në shtëpinë e tij në rrugën Pieve Cadelora, të cilën kishte arritur ta blinte vetëm një vit e gjysmë më parë dhe e përfundoi së rinovuari me duart e tij, janë hapur dyert e mortit. Atje shkojnë e vijnë njerëz të veshur me të zeza. Familjarë, të afërm e miq tashmë i gjenden pranë bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve, Aldit, një student në universitet dhe Adelinës, një punonjëse në një kompani në zonë.
Në oborr janë shpërndarë karriget, është vendosur një tavolinë dhe një tabaka me cigare. Një traditë e shqiptarëve për t’ia ofruar atyre që iu gjenden pranë në këto ditë të vështira. Tashmë familja pret dritën jeshile për funeralin. 58-vjeçari Bisku ka shprehur në të shkuarën dëshirën që të varroset në atdhe.
Në vitin 1991 ai la qytetin e Kavajës për të shkuar në Itali. Ai u vendos në Asola bashkë me 5 miq të tjerë. Pasi gjeti punë si murator ai mori me vete më vonë të vëllain, femrën që më pas u bë gruaja e tij dhe bashkatdhetarë të tjerë të cilët i ndihmoi që të gjejnë shtëpi, të punojnë dhe të integrohen në komunitet. E kur mbërriti në Asola kishte vetëm 6 shqiptarë, tashmë atje numërohen rreth 600 të tillë. Historia e tij është inspirim për të tjerë.
“Erdhi për një të ardhme më të mirë. E dinte që nuk do të kthehej më, por donte të ndihmonte familjen”, kujtojnë të afërm të tij.
“E njihja prej shumë vitesh. Ishte një person shumë aktiv në komunitet”, tha nënkryetari i Bashkisë, Luciano Carminati.
Bisku po punonte për një kompani në rinovimin e një ndërtese. Teksa po shkatërronte një tarracë të vogël brenda rrethimit të brendshëm të ndërtesës ai ra nga një lartësi prej 3 metrash dhe përplasi kokën. Një prej trarëve që mbanin papafingon është gjetur e thyer. Në atë moment ai ishte vetëm dhe nuk ka dëshmitarë, por me shumë mundësi ky është shkaku i aksidentit, sipas mediave italiane.
Për ngjarjen kanë nisur hetimet pasi Bisku u gjet pa kaskën mbrojtëse dhe do të kontrollohet nëse duhej të ishte e detyrueshme mbajtja e një të tillë në atë lloj pune që po bënte.