Autori i dyshuar i vrasjes së 35 vjeçares shqiptare Klodiana Vefa është gjetur i vdekur, raportojnë mediat italiane.
Ish-bashkëshorti i gruas që u vra mbrëmjen e së enjtes me armë zjarri në rrugë në një provincë të Firences, është gjetur i pajetë në një zonë të izoluar të San Casciano në Val di Pesa, raportojnë mediat italiane.
Dyshohet se ai vrau veten duke qëlluar me të njëjtën armë me të cilën dyshohet se ka qëlluar ish-bashkëshorten. Kanë qenë banorët e zonës që kanë njoftuar policinë për një makinë të dyshimtë dhe pas ndërhyrjes, u konstatua se isha makina e Alfred Vefës.
Ai ishte me profesion murator dhe u dyshua menjëherë për krimin. Ai u bë i pagjurmueshëm për karabinierët, pasi ishte në arrati me makinën e tij ‘Golf’ gri, pa para dhe dokumente. Telefoni i tij ishte fikur që nga ora 19:05 e së enjtes në mbrëmje, pothuajse gjysmë ore para vrasjes.
Klodiana, e cila punonte si kamariere në një piceri disa metra larg vendit të ngjarjes, dyshohet se u qëllua disa herë pas një debati me ish burrin.