Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me 14-vjeçaren shqiptare në Itali, e cila humbi jetën mëngjesin e 25 tetorit, pasi ra nga tarraca e një papafingoje në katin e shtatë të një pallati.
Media italine “Rai News”, njofton se është vënë nën hetim i dashuri i 14-vjeçares, I cili është një 15-vjeçar po ashtu me origjinë shqiptare.
Prokuroria ka në fokus të hetimeve skenarin e vrasjes me dashje. Sipas informacioneve, i dashuri 15-vjeçari kishte qenë me të ndjerën deri pak para se ajo të humbte jetën.
Sipas medias italiane, autoritetet dyshojnë se vdekja e të miturës mund të ketë lidhje me ndonjë zënkë në lidhjen dashurore mes 14-vjeçares dhe 15-vjeçarit.
Ditën e ngjarjes, adoleshenti mbajt deri natën në rajon, ku u mor në pyetje nga hetuesit e njësisë hetimore të Piacenza-s të koordinuar nga kreu i prokurorisë së Piacenzës, Grazia Pradella, dhe nga një prokuror i prokurorisë për të miturit që mbërritën pasditen e djeshme nga Bolonja.
Para hetuesisë, djali ka thënë se vetëvrasja duke u hedhur nga kati i 7, ishte vendim i 14-vjeçares, dhe se kjo nuk kishte të bënte me të apo lidhjen mes tyre.
Miqtë e të ndjerës, të intervistuar nga gazeta Piacenza, pohojnë se kohëve të fundit, lidhja mes 14-vjeçares dhe 15-vjeçare nuk dukej në gjendje të mirë.
Ndërsa motra 22-vjeçare e viktimës nuk e beson versionin e vetëvrasjes.
“Ai e hodhi poshtë, ajo nuk ishte e çmendur apo e dëshpëruar, ajo ishte një viktimë tjetër e dhunës. Ai ishte i fiksuar pas saj, ajo u përpoq në çdo mënyrë ta largonte”,-shprehet ajo.
Hetimet kanë për qëllim “qartësimin e dinamikës dhe lëvizjeve të të miturit në orët para rënies si dhe vlerësimin e përfshirjes së mundshme të bashkëmoshatarëve”. Kjo është saktësuar nga Prokuroria për të miturit, me prokuror Giuseppe Di Giorgio.
E mitura shqiptare, identiteti i të cilës nuk është bërë publik, humbi jetën mëngjesin e 25 tetorit në rrugën ‘IV Novembre’, Piacenza, pasi ra nga tarraca e një papafingoje në katin e shtatë të një pallati.