Ish-zv/kryeministri, Arben Ahmetaj, do të flasë sërish nga arratia.
Ky fakt është bërë me dije nga gazetari Çim Peka, i cili në rrjetet e tij sociale ka publikuar foto ku shihet krah Ahmetajt, duke paralajmëruar kështu intervistën e radhës me ish-zv.kryeministrin.
“Premtimi i mbajtur, po vjen”, shkruan Peka krahas fotove me Ahmetajn, duke njoftuar se intervista do të transmetohet javën që vjen ditën e hënë në orën 20:45.
Kjo është intervista e dytë e Ahmetajt nga arratia. Më 1 shkurt të këtij viti, në po të njëjtin televizion dhe me po të njëjtin gazetar, Çim Pekën, ish-numri dy i qeverisë deklaroi publikisht se akuzat dhe hetimet ndaj tij janë nisur me indicje politike.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se prokurorët e SPAK kanë vepruar në bazë të deklaratave të tij.
Arben Ahmetaj prej një viti është shpallur në kërkim nga SPAK dhe akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me inceneratorët.
Nga Zvicra ku ka aplikuar më azil, Ahmetaj ka refuzuar përballjen me drejtësinë shqiptare, duke thënë se procesi dhe provat janë manipuluar, për ta goditur atë politikisht.
Ai ka thënë se do të përballet me drejtësinë vetëm kur ajo të jetë e drejtë dhe e vërtetë.