Pjesa e dytë e emisionit investigativ Report, që provokoi polemika të forta me kryeministrin shqiptar Edi Rama sjell këtë të dielë në Raitre një dëshmi tjetër të ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj. Nga sa ka zbuluar gazetari Xhorxhio Motola në një pjesë të tekstit të tij, Arben Ahmetaj citohet të ketë thënë “Rama i takon shefat e mafias në zyrën e tij në kryeministri. I kam parë vetë”.
Këtë deklaratë, shkruan gazetari italian, Arben Ahmetaj e shtjellon gjatë bisedës që transmetohet sot në emision, kur përmend një ndërmjetës, sipërmarrës në shitjen e cigareve në Durrës, djali i një prej ish-deputetëve socialistë, i quajtur Ergys Agasi.
“Grupet kriminale përfitojnë tendera përmes emrave fiktivë, riciklojnë para në ndërtim. Koordinohen me Edi Ramën” citohet sërish Arben Ahmetaj në një pjesë të dëshmisë që gazetari italian i ka marrë në Zvicër, ku ai po qëndron në arrati.
Nga fotoja që ka zbuluar për kureshtarët e emisionit që transmetohet sot, Arben Ahmetaj duket në anën tjetër të një tavoline, që me gjasë është duke folur në një restorant. Nga këndi i fotos, gjasat janë që intervista të jetë marrë me një kamera të fshehtë.
Por Report ka marrë edhe reagimin e Ramës në një intervistë në zyrën e tij në kryeministri, pikërisht për Arben Ahmetajn dhe akuzat që i bën njeriu i tij më i besuar në qeveri deri pak kohë më parë. Rama tenton t’i zhvlerësojë akuzat e rënda, kur përgjigjet: “Njerëz që nuk duhen marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e prekur nga mafia” thotë kryeministri.
Por me këmbëngulje, Report sjell një shembull për të cilin është folur gjatë edhe në Shqipëri. Rasti i Luftar Hysës, biznesmeni i lojërave të fatit, pronar i kazinove në Meksikë, Kanada dhe shumë vende të tjera, i cili është përfolur në mediat meksikane për lidhjet me klanin e Sinaloas në Meksikë. Fotot e Luftar Hysës, biznesmenit nga Belshi, që del nga kryeministria tashmë janë publike. Dy muaj pas takimit, Hysa mori një licensë për të hapur kazino në Vlorë, shkruan Xhorxhio Motola.
“Vetëm një herë e kam parë. Kurrë më!” mbrohet Rama për takimin në fjalë, ndërsa Report i referohet mediave kanadeze si njeriu që “riciklon paratë e kartelit të Sinaloas”.
Investigimi vazhdon edhe me një mënyrë tjetër të pastrimit të parave, më fine, por po aq efektive sa kumari; kriptomonedhat. Dihet se shumë sipërmarrës italianë kanë kaluar Adriatikun për të investuar në Shqipëri. Mes tyre është një kompani e lidhur me ish-kryeministrin Masimmo D’Alema. Bëhet fjalë për kompaninë A&I. “Në Shqipëri mërret me kriptovaluta” shpjegon Arben Ahmetaj, një fakt që D’Alemma e ka mohuar. Por Report ka vazhduar hetimin pavarësisht deklaratave të D’Alemës dhe gjen lidhjet mes ish-kryeministrit të Italisë dhe kompanisë në fjalë. Vetë Rama ka qenë në prezantimin e kompanisë në Tiranë ku është folur për përdorimin e “blockchain” në vendin tonë.
Pjesa e dytë e Report, njësoj si e para, duket se do të jetë një shuplakë tjetër për qeverinë shqiptare. Sulmet që erdhën nga Tirana duket se nuk i kanë kompleksuar gazetarët italianë. Herën e parë, kryeministri u kap pas një reagimi që kishte dhënë sekretari i tij Ëngjëll Agaçi dhe që nuk ishte transmetuar. Mbetet për t’u parë si do të reagojë për pjesën e dytë të emisionit.