Një video e publikuar në rrjet e një zonje, që merr ndihma sociale në Amerikë, ka ngjallur reagime të forta nën dyshimin e ajo mund të jetë këngëtarja ikonike, Parashqevi Simaku.

Jeta e Parashqevi Simakut prej vitesh ka qenë shumë larg syrit të medias dhe publikut, pas largimit nga Shqipëria menjëherë pas rënies së komunizmit.

Por para mbërritjes në këtë pikë…. ajo ishte një yll në vitet ’80 në Shqipëri, që spikati për zërin brilant, bukurinë ikonike dhe fotot sensuale që realizoi duke thyer tabutë e asaj kohe.

Pasi realizoi disa këngë në repertorin e saj dhe rrëmbeu edhe çmime në Festivalin e Këngës, ëndrrat e saj u kthyen me sytë nga Amerika, vendi i mundësive siç ajo e përshkruante.

Në një intervistë që dha një vit pasi kishte emigruar në SHBA, ajo rrëfente për gazetarin Alfred Kanini vështirësitë me të cilat përballej, por dhe ambicien për t’u futur në tregun muzikor atje.

“Unë kam qenë tepër e lidhur me televizionin, kam kujtime shumë të mira”, shprehej ajo.

E pyetur se përse u largua nga Shqipëria ajo shprehej: Është pyetje shumë e vështirë për mua, por mund të them se u krijuan kushtet, jo se kisha dëshirë, por prapë unë përpiqem nuk është se po ndryshoj. Unë ika si shqiptare dhe jam këtu jam prapë shqiptare.

Jam tepër e qetë që tani jam në një botë të lirë, jam e lirë… në radhë të parë jam e lirë si shqiptare, por ky vend këtu është shumë oportun ku ti mund të provosh nëse mund të bësh diçka. Por unë çdo gjë që mund të bëj në të ardhmen, dua ta bëj vetëm si artiste, si shqiptare.

Simaku fliste dhe për vështirësitë me të cilat përballej në New York, duhej të punonte shumë, studionte dhe të ndihmonte ekonomikisht edhe familjen e saj.

Gjatë intervistës shpesh ajo shprehej se ishte vetëm dhe jeta ishte shumë e vështirë dhe detyrohej të këndonte në restorante shqiptare për të mbledhur para, edhe pse aspak nuk i pëlqente ai ambient. Ajo tregonte se në Amerikë kishte shkuar me të tjera synime për karrierën e saj.

“Është shumë e vështirë sepse të afërmit e mi e dinë, unë jetoj vetëm dhe nuk kam njerëz të afërt këtu. Punoj, kam kaq kohë që këndoj në restorantet shqiptare, muzikë popullore dhe muzikë të lehtë… unë kurrë nuk kisha hyrë në këtë biznes, sepse nuk më pëlqen që të këndoj në restorante, por jam e detyruar sepse shumë gjëra këtu duhen filluar nga “A”…. Artistët duhet të provojnë Hollivudin, është ndryshe të ëndërrosh të shkosh dhe është ndryshe ta bëj.

Është shumë e vështirë që një vajzë vetëm nga qyteti i Kavajës, të jetojë në mes të New York ku ulesh dhe ngrihesh në një sekond, gjë të cilën unë nuk jam përgatitur, sepse vendi ku jemi rritur ne brenda izolimit, shumë anë praktike të jetës nuk i njohim dhe unë has shumë vështirësi.

Erdha me një tjetër mendim këtu, mendova të bëj një show për shqiptarët, të paraqesim vlera, sepse nga gjendja ku ndodhej vendi përfshi edhe Kosovën, arti është harruar dhe është vënë shumë pas politikës…  unë mundohem, është e vështirë, këndoj këngë patriotike sepse këtu i duan.

Me këtë punë që jam marrë këto kohë, që kam kënduar, kam bërë një çik ekonomi, shumë pak mund të them sepse mbaj edhe familjen, sepse jam shumë e lidhur me familjen prindërit… shkoj edhe në shkollë për të mësuar gjuhën. Më duhet të punoj shumë”, tregonte ajo.