Policia e Selanikut ka identifikuar autorin që ekzekutoi me armë 50-vjeçarin shqiptar ditën e sotme pranë një karburanti.

Sipas mediave greke, agjentët e policisë greke e kanë identifikuar nga targat e makinës me të cilën u arratis.

Por identitetin e tij nuk e kanë bërë publik për mediat.

Megjithatë, sipas shtypit grek, autori është me origjinë nga Shqipëria.

Ai është person me precedent penal dhe i njohur për policinë greke për disa vepra penale.

Ndaj tij po zhvillohen kërkime policore masive, por ende nuk ka asnjë të dhënë rreth vendndodhjes së tij.

Krimi i rëndë ndodhi sot rreth orës 13:00 pranë një pike karburanti në Selanik. Viktima dhe autori kanë qenë më herët së bashku në një lokalpranë zonës ku ndodhi krimi.

Mes tyre nisi një përleshje. Arsyet e sherrit nuk dihen, por autoritetet greke dyshojnë se mund të lidhet me probleme financiare.

Pas konfrontimit në lokal, të dy u larguan me makinat e tyre. Më pas u gjendën në të njëjtën pikë karburanti në rrugën Solonos të Selanikut.

50-vjeçari shqiptar ndodhej në karburant për të furnizuar makinën. Ndërsa paralelisht në rrugën kryesore kishte ndaluar makina e autorit, tip Peugeot ngjyrë e zezë.

Kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë krimin. Viktima shihet te dritarja e makinës së autorit dhe godet me zinxhir personin që ndodhet brenda mjetit.

Por në këtë moment ai qëllohet me pistoletë nga brenda makinës dhe bie përtokë. Ndërsa vrasësi largohet me shpejtësi me makinë nga vendngjarja.

50-vjeçari shqiptar mori 3 plumba në kraharor dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.