Ka shkuar në 10 numri i personave të arrestuar në lidhje me operacionin “Dream earnings”, të akuzuar për mashtrim kompjuterik përmes Call-Centra-ve.

Uniformat blu bëjnë me dije se këtë të premte është bërë i mundur ndalimi i një 31-vjeçari, i cili ishte i përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal që mashtronin shtetas italianë.

Sipas informacioneve zyrtare bëhet fjalë për shtetasin B. Gj., 31 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap nga forcat policore në Himarë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Dream earnings”, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për disa vepra penale.

“Falë inteligjencës policore, kërkimit dhe gjurmimit për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, u bë e mundur kapja në Himarë dhe ndalimi i shtetasit B. Gj., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Dream earnings”, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale ”Mashtrimi kompjuterik , kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni”, tha policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.