Në Himarë ka nisur sot zyrtarisht fushata elektorale për kreun e bashkisë.
Fushata do të zgjasë vetëm një javë, dhe për pasojë do të jetë një nga fushatat më të shkurtra të zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë.
Ajo do të zgjasë deri në datën 2 gusht, në data 3 do të jetë heshtje zgjedhore, ndërsa në datën 4 do të votohet.
Partia Socialiste garon për kreun e bashkisë së Himarës me Vangjel Tavon, ndërsa Partia Demokratike e cila është në koalicion me disa parti të tjerë, garon me Petro Gjikurinë.
Këto zgjedhje mbahen vetëm për kryetarin e bashkisë, pas dënimit të Fredi Belerit me dy vite burg për blerje votash.
Vangjel Tavo, kandidati i Partisë Socialiste do renditet i pari në fletën e votimit, ndërsa kandidati i propozuar nga koalicioni Bashkë Fitojmë, Petro Gjikuria do të jetë i renditur i dyti.
Në bashkinë Himarë janë të regjistruar rreth 22 mijë zgjedhës, por në zgjedhjet e fundit lokale kanë votuar vetëm 7 mijë zgjedhës.