SPAK ka mbyllur hetimin për pretendimet e Gazment Bardhit sipas të cilit, Ols Rama ishte pjesë e grupit që ndërtoi laboratorin e kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit dhe që trafikoi drogë nga Amerika Latine.

Në një përgjigje për Vizion Plus, SPAK thekson se nuk ka asnjë provë që implikon Ols Ramën në akuzën e ngritur nga Gazment Bardhi.


“Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës.
Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë“, thuhet në përgjigjen e SPAK për Vizion Plus.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi publikoi disa dokumenta nga veprimet policore, që sipas tij përshkruan një person me kapele në grupin e trafikantëve që policia nuk arriti ta identifikonte dhe që sipas tij ishte Olsi Rama. Po ashtu, Bardhi publikoi të dhënat nga sistemi TIMS, që tregonin se Olsi Rama kisjhte përdorur të njëjtin mjet me një nga të arrestuarit e dosjes.

Pas kësaj Bardhi dërgoi informacionet në SPAK, por dy vëllezërit Rama e sfiduan të bënte një kallëzim penal, duke premtuar se njëri do të shkonte në burg, ndërsa tjetri do të tërhiqej, nëse diçka rezultonte e vërtetë.

Përndryshe, kryeministri Rama ka paralajmëruar Gazment Bardhin se do të mbajë përgjegjësi për denoncimet që ka bërë duke e përfshirë vëllain e tij në grupin e trafikantëve të drogës së Xibrakës.