Sot hyn në fuqi harta e re gjyqësore çka do të thotë 5 Gjykatat e Apelit në vend nuk funksionojnë më. Do të ketë vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë.
Gjykatat e Apelit në Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë prej ditës së sotme (1 Shkurt) nuk janë më funksionale. Me vendim të KLGJ-së këto gjykata janë shkrirë dhe funksionale do të jetë vetëm Gjykata e Apelit në Tiranë, që do të shqyrtojë të gjitha çështjet në rang republike.
Ndërsa në gjykatat e apelit që u mbyllën, do të mbetet e hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët ku këta të fundit do të kenë mundësi të kërkojnë informacion apo të depozitojnë ankesa.
Ndërkohë, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, në një takim mes anëtarëve të KLGJ dhe gjyqtarëve mëngjesin e së hënës, bëri të ditur se kjo hartë e re gjyqësore do të përmirësojë cilësinë e shërbimit.
Sipas Llagamit, çështjet të cilat kanë filluar gjykimin në gjykatat e apelit në rrethe që u “shkrinë”, do të vazhdojnë gjykimin.