40-vjeçari shqiptar Florand Shehu i cili vrau me thikë bashkëshorten e tij 31-vjeçare Anisa në korrik të vitit 2021, është dënuar nga gjykata greke me burgim të përjetshëm.
Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e tyre në Dhafni në Athinë. Shqiptari i preu fytin bashkëshortes me thikën e mishit që përdorte në lokaln dhe më pas u dorëzua në polici.
“Kam vrarë gruan time, brenda banesës ku jetonim. Isha çmendurisht xheloz për të”, rrëfeu në atë kohë 40-vjeçari.
Vendimi për rastin e vrasjes është dhënë ditën e mërkurë nga gjykata, por është raportuar dje (3 dhjetor) nga mediat greke.
“Në mënyrë të pamohueshme, burgimi i përjetshëm, edhe pse dënimi më i lartë, nuk mund të përshkruajë me saktësi dhimbjen dhe vuajtjen që përjetoi dhe po përjeton familja. Qartë, shprehim kënaqësinë tonë për vendimin e marrë pas një bashkëvlerësimi të të gjitha provave të paraqitura”, deklaruan avokatët e viktimës.
Vrasja mund të ishte shmangur nëse policia e thirrur nga 31-vjeçarja ditët e mëparshme do të hetonte më me kujdes telefonatat e saj. Për këtë arsye ata u pezulluan dhe ndaj tyre nisi një hetim nga policia.