Shtetasit shqiptarë që mbahen në burgjet greke, për herë të parë, kanë mundësi të pajisen me pasaporta dhe karta identiteti, ç’ka u lehtëson problemet proceduriale brenda këtyre burgjeve.

Marrëveshja u mundësua prej ministrisë së jashtme greke dhe asaj shqiptare,nën kujdesin e ambasadores shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga.

Procesi nisi sot në burgun Koridhalos, ndërsa pritet të shtrihet në të gjitha institucionet e riedukimit në Greqi.

Të dënuarve shqiptarë që përfitojnë nga ky shërbim, iu mundësua përfundimi i gjithë procesit brenda pak minutave. Vetëm në burgun Koridhalos do të pajisen me karta identiteti dhe pasaporta më shumë se 100 shtetas shqiptarë.

Çështja e pajisjes së të dënuarve në burgjet e Greqisë u kishte krijuar shumë probleme atyre, pasi me mbarimin e afateve të pasaportave, këta shtetas nuk mund të kryenin një sërë procedurash ligjore brenda këtyre burgjeve dhe për pasojë u zvarriteshin proceset gjyqësore për muaj të tërë.

Të dënuarit u shprehën të kënaqur me këtë procedurë, ndërsa në marrëveshjet mes dy vendeve pritet të zgjerojnë edhe më shumë plotësimin e kërkesave të të dënuarve shqiptarë që mbahen në burgjet e shtetit fqinj.