Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku zhvillon një vizitë zyrtare në Greqi ku u takua nga homologu i tij Gjeneral Leitnant Konstantinos Skoumas.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke falënderoi Rrumbullaku, për bashkëpunimin e suksesshëm mes 2 forcave policore, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.
Gjatë takimit, krerët e policive të 2 vendeve shprehën vullnet për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, për çështjet e sigurisë, operacione të përbashkëta, shkëmbimin e informacionit, parandalimin e emigracionit të paligjshëm, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimin në kundër të luftës kundër kontrabandës, trafikimit të narkotikëve e trafiqeve të tjera të paligjshme që mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit të gjelbër, mes 2 vendeve.
Gjithashtu, u dakordësua zhvillimi i vizitave të ndërsjella, për shkëmbim të përvojave dhe eksperiencave, si dhe mundësia e trajnimeve në fushat e sigurisë rrugore, sigurisë kufitare dhe policimit në komunitet.
Në fund të takimit, Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë shqiptare dhe asaj greke, theksuan nevojën e konstituimit të grupeve të përbashkëta hetimore, për hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale që tentojnë të ushtrojnë veprimtari kriminale, në Shqipëri dhe në Greqi, me qëllim parësor, rritjen e sigurisë publike, për qytetarët e të dy vendeve dhe me gjerë.