Një femër shqiptare ka rënë në prangat e policisë në Greqi, pasi dyshohet se ka vrarë me thikë një të moshuar greke.

Mediat greke bëjnë me dije se shqiptarja kishte lidhje të ngushtë me viktimën 84-vjeçare, pasi ishte punësuar për tu kujdesur për të.

Ajo e ndihmonte të moshuarën me punët e shtëpisë dhe pazaret, e po ashtu në shtëpinë e të moshuarës kishin akses të lirë edhe bashkëshorti dhe fëmijët e shqiptares.

Kjo ka bërë që policia të dyshojë se autore e vrasjes të jetë shqiptarja.

Pista kryesore që po heton policia është ajo e vrasjes me paramendim, për të vjedhur paratë që e moshuara mbante me vete për raste emergjente.

“84-vjeçarja mbante gjithmonë me vete një trastë me para, në rast se i ndodhte diçka e keqe dhe këtë e dinte e gjitha lagjja”,- tha fqinja e të moshuarës.

E moshuara u gjet e pajetë nga fëmijët e saj, të cilët ishin shqetësuar për të, pasi kjo e fundit kishte ditë që nuk u hapte telefonin.

Për pasojë ata i shkuan në shtëpi dhe e gjetën të vdekur me plagë.