Një 28-vjeçare shqiptare ka denoncuar dhunën që ka përjetuar në 8 vite nga bashkëshorti i saj në Greqi.

Ajo ka pretenduar se episodi i fundit i dhunës ka ndodhur në datën 19 Korrik teksa ndodheshin në plazhin e Nea Moudania në Halkidiki.

E reja ka rrëfyer se 39-vjeçari shqiptar e ka sharë dhe kërcënuar, ndërsa kur janë kthyer në shtëpi në mbrëmje ai e ka sulmuar me grushte e shqelma duke e goditur në kokë e trup.

Më pas, ai e ka goditur me rrip pantallonash në të gjithë trupin, si edhe e ka qëlluar vazhdimisht me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Gruaja rrëfeu se dhuna ka ndodhur në sy të tre fëmijëve të tyre të mitur, por i shoqi nuk është ndalur me kaq pasi ka marrë një thikë duke e kërcënuar.

Gjithashtu, ajo ka pretenduar se i shoqi ka dhunuar edhe fëmijën e tyre 7-vjeçar me rrip dhe shqelma.

Ndërkohë autoritetet greke janë vënë në kërkim të shtetasit shqiptar.