Sot feston ditëlindjen e 87-të shkrimtari gjirokastrit Ismail Kadare, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore shqipe. Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave.
Ai është i martuar me Helena Kadaren, ndërsa ndan jetën mes Francës dhe Shqipërisë. Kadare vendosi të largohej drejt Parisit në vjeshtën e viti 1990. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”.
Autor i veprave të njohura ndërkombëtarisht si “Dimri i Vetmisë së Madhe”,”Kronikë në Gur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Vit i Mbrapshtë”, “Koncert në fund të dimrit”, “Përbindëshi”, “Nata me hënë” : “Kështjella”, “ “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H”, “Piramida”, “Pallati i ëndrrave”, e shumë të tjera.
Vepra këto që kanë arritur një numër rekord përkthimesh në 45 gjuhë të botës duke e bërë kështu historinë e kulturën e Shqipërisë të njohur përtej kufijve. Edhe pse krijoi një vepër me karakter universal, rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare.
Në vitin 1992 u vlerësua me “Prix Mondial Cino Del Duca” e në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku ishte i nominuar bashkë me shkrimtarë tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj.
Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët:
“Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqsitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”
Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll ”Princi Asturias” çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë.
Ndërsa në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin “Lerici Pea”.
“Dhënia e çmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare, nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohoen liritë themelore”, shkruhet në motivimin e çmimit.
Ismail Kadare është dekoruar gjithashtu nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Po ashtu ai është shpallur fitues i çmimit ‘Nonino 2018’. ‘Nonino 2018’ është një çmim i destinuar për figura të mëdha të kulturës botërore nga një juri e autorizuar nga Nobel.
Kadare konsiderohet si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit, i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist.