Vijon operacioni policor i koduar “Road Guard”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.
Ndalohet një shtetas, i cili në muajin mars tentoi të transportonte me automjetin e tij, 16 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në kuadër të operacionit policor “Road Guard”, kanë ndaluar shtetasin S. S., 25 vjeç, banues në Tepelenë, me precedent të mëparshëm penal.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet hetimore rezultoi se është autor i ngjarjes së ndodhur në datën 11.03.2022, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, ku shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti tip furgon, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar mjetin, të cilin e ka braktisur në vendin e quajtur “Virua”. Në automjetin që drejtohej nga shtetasi S. S. u gjetën 16 emigrantë të paligjshëm, të cilët ky shtetas do t’i transportonte kundrejt fitimit.
Materialet në ngarkim të shtetasit S. S. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.