Gazetarja Klodiana Lala ka thënë se SPAK ka dyshime se dy politikanë të majtë kanë përdorur aplikacionin SKY ECC. Lala gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” tha se nuk mund të thotë emrat për shkak të sekretit hetimor, por shtoi se SPAK ka kërkuar informacion në Francë përmes letër-porosive nëse janë ata, për të cilët ka dyshime se janë përdorues të “aplikacionit të krimit”.

Kujtojmë se edhe ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, tashme në burg bisedonte në SKY ECC me persona të inkriminuar dhe të shpallur në kërkim nga drejtësia.

Ndër të tjera ajo vlerësoi punën e SPAK sa i takon goditjes së krimit të organizuar dhe çmontimit të disa bandave në vend.

“Prokuroria dhe SPAK kanë patur sukses në goditjen e krimit të organizuar. Siç janë Metamorfoza me grupin kriminal Bajri, Plarent Dervishaj te banda e Durrësit, Durim Bami i konsideruar si i forti i Niklës, Arben Ndoka ish-deputet socialist, organizata kriminale e Suel Çelës me lidhje të forta me të gjitha qelizat e qeverisë, Elton Reçi i një grupi kriminal në veri të vendit; grupi i Troplinëve në Shkozet; Aleksandër Laho ose i njohur si Rrumi i Shijakut; Çopja-Alibeaj në qytetin e Elbasanit, por që e kanë patur aktivitetin jashtë. Ke edhe goditjen e Jurgis Çyrbjas.

Në të gjitha këto raste që unë ju përmenda direkt apo indirekt mund të përfliten politikanë. SPAK sa i përket SKY ECC ka mbajtur këtë qëndrim: deri tani ka dërguar për akuzë zyrtare ose ka firmosur masa sigurie për ata që kanë përdorur direkt aplikacionin dhe të dhënat e përftuara janë përputhur me të dhëna dhe prova të tjera. Është rasti Çyrbja, janë kërkuar kodet. Në dijeninë time, nuk mund të them emra për shkak të sekretit hetimor, kanë kërkuar të dhëna për dyshime, se të paktën dy politikanë mund ta kenë përdorur. Është kërkuar informacion në Francë përmes letër-porosive nëse janë ata sepse duhet bërë identifikimi, janë socialistë” – tha Lala.