Gazetari i mirënjohur gjirokastrit, Telnis Skuqi, ka rrëfyer një histori nga fëmijëria e tij kur Valentina Teodoresku, e dënoi në moshën 14-vjeçare pasi për shkak të një pakujdesie, rrëzoi bustin prej allçie të diktatorit Enver Hoxha.

Në një postim në fb, gazetari Skuqi shkruan se asokohe ai ishte duke luajtur futboll me mikun e tij të fëmijërisë, por një devijim i gabuar i topit bëri që busti i Hoxhës të shembej.

Kjo asokohe u quajt një vepër e papranueshme që çoi në dënimin e dy 14-vjeçarëve.

Ai shkruan se ishte Valentina ajo që hetoi “krimin” dhe që i dënoi dy minorenët.

Kujtojmë se po kjo avokate është caktuar nga GJKKO për të mbrojtur kreun e demokratëve Sali Berisha, në procesin politik për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Ja postimi i Skuqit:

Unë e kam falur “avokatin” tim, Mërkurin, madje edhe kryetaren e trupit gjykues, M. Progonatin, që ishte më e zellshme se hetuesja ime, por kurrë Valentina Shehu, që përpiloi me hollësi dosjen time penale me nenin 55 të Kodit Penal dhe vuri në lëvizje sistemin e drejtësisë së atëhershëm.

Unë ende sot e kësaj dite nuk e kuptoj se si u futa në një sistem juridik që nuk më takonte mua ligjërisht.

Shkak u bë një incident i papritur fëminorë, dhe që u tepërua nga sistemi i atëherëshëm i drejtësisë.

Një top futbolli i goditur në mënyrë të pasaktë nga shoku im i fëmijërisë, Ilir Kakaçi, shkërmoqi bustin allçi të diktatorit, sepse unë si portier nuk reagova shpejt për ta devijuar sferën e rrumbullakët që ishte nisur në trajektoren e gabuar.

Fatkeqësisht atë ditë humba fëmijërinë dhe ëndrrat e mia.

Dikush duhet të mbante përgjegjësi.

U godita unë dhe miku im.

U bë një gjyq i madh më 17 maj 1989, në katin e tretë të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë.

Hetuesja ime ishte Valentina, denoncimin e bëri institucioni, ndërsa dëshmitarët ndaj meje dhe atij (Kakaçi) ishin edukatorët tanë. Tmerr!

Biografia ime familjare ishte e deklasuar, ndërsa biografia e shokut tim ishte akoma më e rëndë, që gjë ia bëri të lehtë punën hetueses praktikante para trupit gjykues.

Miku im dhe unë u dënuam me vendim të formës së prerë, por për shkak të moshës dy jetimët u paketuan në Shkollën e Riedukimit në Zejmen të Lezhës.

Dënimi im dhe shokut tim nuk u prit mirë nga drejtuesit e partisë në nivel lokal.

Çështja ime dhe e mikut tim shkoi shumë lart, aq lart sa Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, firmosi një dekret të veçantë falje vetëm për ne të dy, sepse, sipas regjimit ishte tejkaluar vija e kuq, fal Valentinës.

“Ne nuk dënojmë fëmijë”, – u shpreh Alia atëherë.

Personalisht nuk dëshiroj të paragjykoj Drejtësinë e Re, por për mua është e rëndësishme të kujtojmë historinë dhe të punojmë drejt një shoqërie ku drejtësia është e pavarur dhe respektohen të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve, pavarësisht statusit social dhe shoqëror që përfaqëson çdo individ.