Quhet Maldini, por nuk është italian. Babai, tifoz i zjarrtë i Milanit, 18 vite më parë vendosi t’i jepte këtë emër të birit, duke u frymëzuar nga legjenda e klubit kuqezi, mbrojtësi i madh italian, Maldini.
E kemi fjalën për shqiptarin, Maldini Kacurri, i cili dje debutoi me skuadrën e parë të Arsenalit.
Mikel Arteta i ka besuar mbrojtësit shtatlart për pak minuta, duke i dhënë mundësinë të shfaqë talentin e tij në ndeshjen kundër Boltonit në Carabao Cup.
18-vjeçari është një nga talentet më të spikatur në futbollin anglez.
Ai mund të bëhet lojtar i rregullt i skuadrës së parë tek Arsenali. Sigurisht, ne presim gjithashtu që Kacurri të jetë yll i së ardhmes i kombëtares shqiptare.
Shtatlarti ka disa paraqitje për ekipet e moshave si Shqipëria U17 dhe së fundmi në U19.
Ai ka bindur me performancat e tij dhe së shpejti mund ta shohim si partner të Gjimshitit apo Ismajlit në mbrojtjen kuqezi.