Nga Vangjel Agora – Aktor, regjisor/ Sarandë
Çdo trupë teatrale profesioniste ka historikun e vet të krijimit. Dhe kur themi historikun, nuk kuptojmë vetëm rrugën në të cilën i është dashur të kalojë trupa e Estradës së Sarandës, por edhe vështirësitë që i kanë dalë dhe problemeve që shtronte koha nëpërmjet tematikës së trajtuar. Sepse Estrada si gjini e manovrueshme, që i përgjigjej situatës flakë për flakë, bënte të mundur që në fokusin e saj të vendoste problemet aktuale të shoqërisë e të politikës, qofshin ato lokale apo kombëtare.
Kjo lëvizje solli në mënyrë të natyrshme lindjen dhe krijimin e trupës së estradës profesioniste më 2 prill 1962, me premierën e saj të parë ”Nëpër Sarandë “më një material letrar e muzikor që afirmonte realitetin pozitiv të kohës, si dhe kritikonte tipat dhe dukurit negative që vihesh re.
Me ardhjen e aktorëve të talentuar si Theofil e Violeta Haxhijani, Polikseni Hajdho, Lek Mosi, Haki Spaho, Teli Duka, Gastere Shkurti dhe muzikantet Thoma Gjoni e Adem Daci, këngëtarët Fani Kumbuli, Lafter Agora, Pëllumb Zotaj, Gani Doko, Gëzim Meçani, përpos një materiali interesant për kohën, me gjetje të mprehta humoristike u vu re përdorimi i gjerë i llojit të parodisë, kupletit e skeçit të muzikuar, një prirje kjo e theksuar e regjisorit Milaj po thuajse në çdo premierë, e cila në vitet që pasuan u bë lajtmotivi i tij krijues që së bashku me komeditë muzikore e orientuan gjithnjë e më shumë trupën e estradës drejt pranisë së madhe të llojeve humoristike që gërshetonin në mënyrë të harmonishme materialin letrar me atë muzikor, çka ndikoi dukshëm në profilin e saj të veçantë dhe origjinal në rang kombëtarë.
Duke ruajtur natyrën e saj në vitet që pasuan trupa jonë spikati për një sërë premierash të tipit variete, ku elementi muzikor në interpretimin e materialeve humoristike mbetej nga më të parapëlqyerat, duke u bërë pjesë e natyrshme e shfaqjeve. Paroditë, kupletet dhe skeçet e muzikuara ishin prezent ne çdo shfaqe sa që nuk mund të konceptohej nga publiku mungesa e tyre.
Ardhja e aktorëve dhe instrumentistëve që mbaruan Akademinë e Arteve në vitet 80 dhe në vazhdim si Josif Papagjoni, Vangjel Agora, Karafil Shena, Kalie Gugu, Luiza Xhuvani, Zef Mosi, Kostaq Nika, Teuta Gaçi, instrumentistët Pajtim Hodri, Tomi Stefanidhi, Andrea Rafti, Bexhet Shena, Bektash Mamuçi, Namik Xhaferi, Dhimo Jani, këngëtarët Irini Qirjako e Telemak Papapano si dhe aktorë e këngëtarët amator të apasionuar e të talentuar si Liri Tare, Katerina Zoto, Lida Kalivopulli, Adelina Skëndaj, Dhimitër Dhrami i dhanë freskinë trupës dhe rritën nivelin artistik te saj, duke kontribuar në profilin e plot muzikor në përballimin e një ngarkese voluminoze muzikore në realizimin e premierave të estradës dhe aktiviteteve të shumta të organizuara nga Shtëpia e Kulturës.
Dekori i premierave si një komponent i rëndësishëm i shfaqjes është realizuar fillimisht nga piktorët Stiljan Buzi, Vasil Kaçi e Vangjel Gjini dhe në pjesën më të madhe dhe më të suksesshme nga skenografi Lefter Çeko që me gjetjet, detajet dhe trajtimin profesional e vendosi këtë komponent të rëndësishëm të shfaqjes në baza profesionale. Në vitet 90 trupa jonë e estradës mori pjesë në të gjitha takimet kombëtare e regjistrimet televizive të kohës duke u prezantuar denjësisht. Ajo është fituese e takimit kombëtar të Estradave të zhvilluara në viti 1977 me komedinë muzikore ”Me plot Dëshirë”. Për kontributin dhe vlerat e saj artistike është vlerësuat me titullin “Naim Frashëri” të klasit të 2. Pas viteve 90 si rrjedhim i ndryshimit të sistemit e kufizimeve financiare, reduktimit të personelit dhe vështirësive të njohura të tranzicionit, ashtu si të gjitha trupat e tjera të vendit, trupa jonë e humbi gjallërinë, duke u zvogëluar në mënyrë të ndjeshme.
Në të gjitha këto premiera kanë spikatur aktorët Haki Spaho,Pranvera Brinja, Flamur Oruçi, Valentina Boçi, Ilir Nikolla, Neim Avdia, Gëzim Muço. Instrumentistët A. Halili, Z. Brinja, M. Papagjoni, B. Mamuçi, E. Çeçi, Pandi dhe Fredi Camandioti, këngëtarët Perlat Merko, Orest Kovi, Bianka Vasku, Lida Jaupi, Dashamir Xhemali, Sara Duro,Kristina Barzuka,Loreta Mato, Vanesa Sono e tjer, nën drejtimin e drejtuesit të orkestrës Bexhet Shena. Gjatë gjithë atyre viteve në premierat e estradës ka zen vend problematika e kohës, humori fin, kënga popullore e ajo moderne.
Janë aplikuar forma të reja të aktrimit me një humor e qasje satirike dhe prani domethënëse të konvencioneve skenike. Premierat janë karakterizuar nga një koncept me sens realist, përkujdesje për vërtetësinë dhe natyrshmërinë si dhe një ngulmim i vazhdueshëm për rritjen e nivelit artistik të aktorëve dhe të muzikantëve.
E braktisur ashtu si shumë trupa të tjera. Kujton..flet.. dhe një lot të rrjedh nga sytë… Për dhimbjen që të shkakton kjo gjendje. “Na ishte një herë…por s’është më…estrada e bukur e Sarandës” Po sot ? A mund të ri ngrihet ,a mund ta shohim sërish trupën e estradës? Sigurisht, do të ishte një dëshirë , por sot për sot, me sa duket, qenka në kufijtë e të pa mundurës. Por fundja mbetet një kujtim i bukur dhe së bashku me atë kujtim ngjizet edhe një shpresë. Shpresa se ai teatër, mund të ri ngrihet një ditë.
Është jeta, Është sfida ndaj të keqes.