Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier- Berat) ka arrestuar një 22-vjeçar me detyrë zjarrfikës në Roskovec për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
AMP bëri me dije se arrestimi i tij u krye pasi gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Berat në automjetin Honda Civic që ai drejtonte, u gjetën 13 doza kokaine dhe një peshore elektronike, dy aparate telefonike celularë, një kartëmonedhë me prerje 50 euro dhe 1000 lekë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të kryer nga specialistët e AMP në banesën e shtetasit E. SH. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri “Çifte” dhe dy aparate telefonikë celularë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.