Një qytetar ka denoncuar sot efektivët e policisë, që po konsumonin alkool gjatë detyrës. Ai shprehet i bindur se ata ishin në detyrë, pasi vetëm 12 minuta më parë i kishin vendosur gjobë atij.
I riu nga Tirana tregon se e kishte parkuar makinën 10 minuta në krah të rrugës tek kryqëzimi “21 Dhjetori” kur pa që kishte marrë 20 mijë lekë të vjetra gjobë.
Pas kësaj ai ka kërkuar për policët që të ankohej, por i ka gjetur duke konsumuar birra në lokal. Ai shton se për t’i bërë foto u ul me qëllim në lokal dhe porositi një shishe ujë. Gjoba ishte vendosur në orën 14:00, ndërsa fotoja e bërë nga qytetari është në 14:12 minuta.
Ndër të tjera ai thotë se i njeh shumë mirë efektivët, pasi ka punuar kamarier në zonën e 21 Dhjetorit dhe u shërbente atyre raki.
Pyetja që ai bën është se sa e drejtë mund të jetë gjoba, kur ata janë nën efektin e alkoolit.