Këtë javë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme dhe pak më të freskëta, për shkak të tërheqjes së Anticiklonit Afrikan dhe atij i Azoreve.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, orët me diell nuk do të mungojnë.
Moti pritet të jetë fillimisht i kthjellët, si dhe vranësira në shtim nga orët e mesditës e pasdites kryesisht në relievet kodrinore – malore të vendit. Vranësirat do të pasohen nga reshje e shiu, të cilat pritet të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.
Përjashtim bën dita e Premte ku moti pritet të jetë i kthjellët e me vranësira të pakta deri në mesatar nga orët e mesditës përgjatë relieveve të larta malore. Vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu të izoluara dhe me intensitet të ulët.
Era me drejtim kryesor veriperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 2-9m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina si dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave era hera –herës fiton shpejtësi 10-14m/sek, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i 1-3 ballë.