PKK Kakavije/Kontrolle intensive në hyrje/dalje, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat lëvizin, për të parandaluar dhe goditur krimet në kufi.
Goditet një rast i tentativës për të trafikuar nga vendi ynë, municion luftarak.
Sekuestrohen fishekë dhe krehër pistolete.
Arrestohet 54-vjeçari që i kishte fshehur sendet e kundërligjshme, në çantë.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, krahas punës së tyre të përditshme për ofrimin e një shërbimi të shpejtë dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje, është konstatuar një rast i tentativës për të trafikuar nga vendi ynë, municion luftarak.
Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, shtetasi N. S. Nga kontrollet, në çantën e këtij shtetasi u gjetën 50 fishekë luftarak dhe një krehër pistolete, të cilët tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, në kundërshtim me ligjin.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi N. S., 54 vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, municioni luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.