Policia e Gjirokastrës ka finalizuar operacionin e koduar “Samos” ku është prangosur një 56-vjeçar austriak.
Ai ka tentuar që të trafikonte fara të bimës narkotike cannabis sativa dhe pajisje të ndryshme me destinacion final ishullin Samos.
Atij i janë sekuestruar rreth 190 000 (njëqind e nëntëdhjetë mijë) fara të dyshuara cannabis sativa, pajisje që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, një sasi lënde e dyshuar narkotike, një shumë parash dhe një automjet.
Njoftimi i policise:
Policia Kufitare Kakavije, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacione të grumbulluara në rrugë policore, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Samos”.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi W. S., 56 vjeç, banues në Austri. Ky shtetas u arrestua pasi në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, në dalje të RSH-së, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 190 000 (njëqind e nëntëdhjetë mijë) fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, 57 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 250 ml vaj i dyshuar cannabis sativa, bimë e dyshuar narkotike e kultivuar në vazo, pajisje për rritjen e energjisë elektrike, sende të tjera që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe 4995 euro,
Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas do t’i trafikonte këto sende të kundërligjshme për në ishullin Samos.
Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i lëndëve narkotike”.