Një 27-vjeçar në Vlorë e ka pësuar pasi tentoi t’i bëjë një “rreng” policisë, pasi bëri një kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, për të përfituar kompensim me të njëjtën vlerë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë pas kallëzimit nga K. Ç., banues në Itali, se në Zvërnec i kishin vjedhur automjetin e tij tip “Range Rover” me targa italiane, me vlerë 60 000 euro, nisën punën për zbardhjen e këtij rasti.
Si rezultat i kontrolleve të kryera automjeti u gjet i fshehur në një garazh në Tiranë, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Bazuar në pamjet filmike rezultoi se 27-vjeçari “kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, me qëllim përfitimin e kompensimit me vlerën 60 000 euro, nga kompania e siguracionit të automjetit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për këtë rast u referuan materiale në Prokurori, ndërsa nisi procedimi në gjendje të lirë për K. Ç.