Personi që shihni në foto është shtetasi Arben Murto, i cili u arrestuar në Greqi duke transportuar rreth 100 kg drogë me automjetin e policisë.
41-vjeçari, nga fshati Shalës i Bashkisë Konispol, ishte pasagjer në makinën për sektorin e anti-drogës së Igumenicës, e cila drejtohej nga oficeri Konstantinos Nakos.
Operacioni policor u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së premtes, ku në pranga përfunduan 41-vjeçari shqiptar dhe dy oficerë të Prokurorisë së Narkotikëve në Igumenicë.
Gjithçka nisi kur automjetit zyrtar të policisë iu dha urdhër të ndalonte nga patrulla në terren për shkak të pranisë së një personi të paidentifikuar dhe të veshur civil në të.
Por në atë moment, efektivi 41-vjeçar Konstantinos Nakos nuk iu bind urdhërit të kolegëve dhe ka tentuar të largohet. Ndjekja përfundoi pas disa minutash kur mjeti i policisë u përplas me tre makina të parkuara në rrugë.
Pas kontrollit të imtësishëm, brenda mjetit zyrtar u gjetën 19 pako kanabis të papërpunuar me peshë totale 102 kg e 670 gramë.
Nga hetimet rezulton se oficeri Konstantinos Nakos ka qenë në detyrë patrullimi të planifikuar në oraret 22.00 – 06.00 së bashku me oficerin tjetër të anti-drogës, Dimitrio Oikonomou, 50 vjeç, i cili gjatë operacionit rezultoi se ndodhej brenda një kafeneje në Sajadhë, pranë kufirit greko-shqiptar.
Gjatë kontrollit në mjet u gjet gjithashtu pistoleta e oficerit Oikonomou. Veç dy të arrestuarve të parë, me urdhër të Prokurorit, u arrestua edhe oficeri 50-vjeçar si i përfshirë në trafikun e drogës.
Prej fillimit të vitit, policia greke ka sekuestruar rreth 640 kg marijuanë që dyshohet se vinte nga Shqipëria.