Radhëve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë vendosur të braktisin organizatën e rendit, i është shtuar dhe inspektorja e skuadrës “Shqiponja” në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, Fetie Kasaj.

Rekordmenia për femra e peshëngritjes Shqiptare, ka vendosur të braktisë detyrën e saj, duke paraqitur dorëheqjen pranë Drejtorisë së Policisë ku ka shërbyer për disa vite me radhë.

Mësohet se dorëheqja e saj tashmë është miratuar. Ish-nën/kampionia e Botës dhe nën/kampione Evropë në shtangë, Fetia Kasaj, shërbente pranë skuadrës “Shqiponja” në Vlorë.

“Ora News” mëson se skuadra “Shqiponja” ku Fetie Kasaj shërbente, është përfshirë në datën 23 shkurt 2023 në një situatë jo të mirë.

Ku disa personazhe që në Vlorë njihet si kontigjent kriminal, nuk i janë bindur urdhrit të “Shqiponjave” duke çarë rrethimin, e tyre dhe janë larguar.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, ku shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti tip “Toyota”, pasi kishin dyshime se me të qarkullonin, shtetas me precedent kriminal që mund të mbanin sende të kundërligjshme.

Drejtuesi i automjetit, nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi me automjet, bashkë me pasagjerët, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.

Pas kësaj situate, disa ditë më vonë nga ndodhja e kësaj situate, Fetie Kasaj, ka paraqitur dorëheqjen duke u larguar nga radhët e Policisë së Shtetit.

Kohët e fundit Policia e Shtetit, po përballet me një valë dorëheqjesh të punonjësve të saj, ku kushtet ekonomike, presionet e vazhdueshme nga bota e krimit dhe jo vetëm si dhe kushtet e punës, janë shkaqet kryesore të braktisjes së organizatës.