Në Shqipëri pothuajse gjysma e popullsisë është në rrezik të varfërisë, pasi krahasuar me Rajonin dhe Bashkimin Europian, përqindja është shumë më e lartë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Eurostat për vitin 2023 dhe matjeve të brendshme nga INSTAT për vitin 2022, Shqipëria kishte 41.6% të popullsisë në rrezik të varfërisë, niveli më i lartë në Europë.
Pas Shqipërisë, Rumania dhe Bullgaria kanë përqindjen më të lartë të popullsisë, që jeton në kufijtë e varfërisë me nga 32 dhe 30 % secila të ndjekura nga Spanja me 26.5% dhe Greqia me 25.6%.
Në Shqipëri, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë, në krahasim me 191.791 Lekë që ishte në vitin 2021, sipas INSTAT.
Në vitin 2022 janë vlerësuar rreth 576.316 individë në vendin tonë jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër.
Sipas Eurostat “rreziku për të qenë i varfër” klasifikon ato persona që janë thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.
Në vitin 2023, mbi 94 milionë njerëz në BE (21% e popullsisë) ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social që do të thotë jetonin në familje që përjetonin të paktën një nga tre rreziqet e varfërisë dhe përjashtimit social.
Shifra ka rënë paksa në krahasim me vitin 2022 (95.3 milionë, 22% e popullsisë).