30-vjeçari, Kristian Marku, ka.mbetur i vrarë nga një breshëri armësh në autostradën Vlorë-Fier, pranë një karburanti në fshatin Novoselë, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes ende mbeten të paqarta.

Ngjarja sipas informacioneve zyrtare ka ndodhur rreth orës 18:15, ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin Kristian Marku, 30 vjeç, i cili ka humbur jetën si pasojë e plumbave.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së Vlorës dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, ndërsa vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.

Sakaq për zbardhjen e ngjarjes së rëndë që tronditi mbrëmjen e së hënës vendin tonë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Ndërkohë po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.