Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 8 mars vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Elbasanit, Pranvera Stafa Selita.
Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Brunlida Bekteshn dhe anëtar Lulzim Hamitajn.
Ashtu si në seancën dëgjimore më 6 mars, Selita nuk ishte e pranishme as kur u shpall vendimi, por ajo u përfaqësua nga avokati Fatmir Lushi.
Në seancën e mëparshme, Komisioni konstatoi pamundësi financiare të subjektit dhe familjarëve të saj për krijimin e disa depozitave, si dhe disa barra prove në kriterin profesional, për të cilat avokati Lushi pretendoi se i kishin përmbysur gjetjet. Për pastërtinë e figurës, Stafa mori vlerësim pozitiv.
Pranvera Stafa e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989. Ajo punoi prej më shumë se dy dekadash si prokurore pranë Prokurorisë së Elbasanit.