Policia ka arrestuar ditën e sotme një mjek të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, pasi akuzohet për korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, si dhe falsifikim të dokumenteve shëndetësore.

Arrestimi i tij u konkludua pas një hetimi me metoda speciale disa mujor të Drejtorisë së Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut Arjan Xhaferrajt, i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjeksore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademise së Sigurisë, informoi sot prokuroria e Tiranës.

Sipas burimeve, Xhaferraj merrte 1 deri në 2 mijë lekë të rinj në këmbim për raportet false që lëshonte për studentët që mungonin për të justifikuar mungesat në mënyrë të jashtëligjshme.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ekzekutoi Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin A. XH., me detyrë mjek në Akademinë e Sigurisë Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “Fallsifikim i dokumenteve shëndetësore” dhe “Shpërdorim detyre”.

Vendimi ka ardhur pas një hetimi disa mujor me metoda speciale nga Drejtoria e Hetimit në AMP, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë.

Gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut A. XH. dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor, siguronin fiktivisht raportin mjekësor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.

Gjithashtu është provuar se mjeku i arrestuar kryente fallsifikimin e raporteve mjeksore, duke lëshuar raporte mjekësore për studentët në kohë të mëparshme. Ai gjithashtu i lëshonte raporte mjekësore personave të tretë pa qenë prezent dhe pa kryer vizitën mjekësore.

Për sa më sipër, hetimet vijojnë në gjendje të lirë edhe në ngarkim të 45 studentëve/kursantëve, të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.