Policia ka arrestuar mbrëmë në Tiranë një person të armatosur që po pinte kafe në një lokal. 37-vjeçari Aurel Lazaj është arrestuar në rrugën “Him Kolli” në kryeqytet pasi policia ishte informuar në telefon se një person i armatosur kishte hyrë në lokal.
Mbërritja e forcave të rendit në zonë nuk i dha asnjë shans 37-vjeçarit, i cili u dorëzua pa bërë rezistencë, ndërsa tani duhet të japë llogari për akuzën “armëmbajtje pa leje”.
Policia bën me dije:
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në një lokal në rrugën “Him Kolli”, ndodhej një shtetas i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Befasia”, për kapjen e tij.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në lokalin ku po qëndronte shtetasi A. L., të cilit gjatë kontrollit fizik i gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe i municionit”.