Një 26-vjeçar, i identifikuar si Shkëlqim Saraçi, është arrestuar në flagrancë nga policia gjatë një operacioni të koduar “Apps”, pasi tentoi t’i merrte një biznesmeni 20,000 euro duke u prezantuar si funksionar i lartë shtetëror.
Policia ka njoftuar se operacioni rezultoi me sekuestrimin e 20,000 eurove, tre celularëve dhe një automjeti. Saraçi u kap teksa po merrte shumën e kërkuar nga administratori i një subjekti privat, i cili ishte mashtruar përmes aplikacioneve të ndryshme.
Gjatë hetimeve, u identifikua edhe një organizator i dyshuar, shtetasi L. D., 24 vjeç, i cili aktualisht është shpallur në kërkim dhe dyshohet se ndodhet jashtë vendit.
Policia ka filluar hetime për të identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast. Materialet e procedurës i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ku Saraçi do të përballet me akuza për “Mashtrim” dhe “Përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore”.