Një efektiv policie ka mbetur i plagosur rëndë mbrëmjen e të martës teksa ndërhyri për të shuar sherrin mes dy personave në zonën e Pilurit.

Polici 28 vjeçar Redian Çaushaj, prej disa orësh në sallën e operacionit në spitalin e Vlorës.

Drejtuesit e Policisë dhe familjarë në spital. Ndërkohë policia po zhvillon aksion për arrestimin e autorit të Plagosjes.

Ngjarja ndodhi në rrugën që të çon në Pilur. 28 vjeçari ka parë dy persona që po rriteshin, ka ndërhyrë për të shuar sherrin. Autori e ka goditur me thikë në pjesën midis kraharorit dhe qafës. Plaga e thellë, 28 vjeçari ka humbur gjak.

Thirrjes së spitalit të Vlorës për të dhuruar gjakë gjatë orëve të mesnatës i janë përgjigjur kolegë të 28 vjeçarit. Policë të Vlorës kanë dhuruar gjak. Gjendja shëndetësore e policit ende kritike.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 23:00, te kthesa e fshatit  Pilur, disa shtetas po konfliktoheshin  fizikisht me njëri-tjetrin.

Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë R. Ç., 28 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, njëri prej tyre, shtetasi  Th. M., 60 vjeç, nga fshati Pilur, e ka goditur me mjet prerës thikë dhe për pasojë punonjësi i Policisë është në gjendje kritike për jetën.

Shtetasi Th. M. pasi ka goditur punonjësin e Policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira.

Në ndjekje të tij janë vënë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, grupe të FNSH dhe të forcave operacionale të DVP Vlorë.

Ndërkohë është ngritur grupi hetimor dhe vijon punën për  dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.