Një oficer policie në qytetin e Durrësit i ka dhënë fund jetës këtë të enjte, duke përdorur armën e tij të shërbimit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e komisariat të Policisë së qytetit bregdetar, ku Nënkomisari Arben Pjeçi është gjetur i pajetë nga kolegët brenda zyrës së tij të punës.
Pjeçi prej disa ditësh ishte në gjendje të rënduar psikologjike, pasi ishte pezulluar nga detyra për një afat të shkurtër kohor, sepse mbi të rendonte një dënim i formës së prerë, për veprën penale “plagosje e lehtë”.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe policia e Durrësit, që sqaron se ishin vendosur në kërkim të tij pas një njoftimi të familjarëve, se oficeri kishte humbur gjurmët.
“Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat. Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit. Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi. Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit.”
Ndërkohë sa i përket vendimit që kishte çuar në pezullimin e tij nga detyra, policia e Durrësit sqaron: “Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal. Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.”
“Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës”, shtohet më tej.
Sakaq, për këtë ngjarje të rëndë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, ndërsa është njoftuar dhe AMP për të kryer veprimet përkatëse.